Zemërohet Muller, pasi gazetarja qeshi me eliminimin e Bayern Munich nga Kupa e Gjermanisë

Thomas Muller u zemërua me një gazetare, e cila qeshi gjatë një interviste pas eliminimit tronditës të Bayern Munich nga Kupa e Gjermanisë të mërkurën mbrëma.

Kampioni gjerman dhe evropian u eliminua nga kupa pas disfatës tronditëse në rundin e dytë nga skuadra e kategorisë së dytë, Holstein Kiel, të mërkurën.

Bayerni nuk ishte eliminuar nga Kupa e Gjermanisë kaq herët që prej sezonit 2000/01. Edhe pse Bayerni doli në epërsi dy herë falë golave nga Serge Gnabry dhe Leroy Sane, ndeshja mbaroi baras 2:2 pas 90 minutave dhe Kiel e mundi 6:5 kampionin e Bundesligës në penallti.

Pas ndeshjes, Muller u bezdis nga gazetarja e transmetuesit gjerman ARD,  Valeska Homburg, e cila qeshi duke e pyetur sulmuesin për humorin në zhveshtoren e Bayernit pas humbjes.

Muller iu përgjigj i zemëruar: “Si po mendon? Po qesh tani këtu?”

Homburg u përpoq të sqarohej duke thënë se nuk po qeshte me Bayernin, por Muller e ndërpreu: “Natyrisht se qeshe”.

Mulle shtoi: “Natyrisht se humori i skuadrës është siç pritet në këtë rast. Jemi të zhgënjyer, natyrisht, mund ta paramendosh. Nuk jemi në humor të mirë”.